“Të gjithë së bashku duhet të besojmë në të drejtat e njeriut, në dinjitetin dhe integritetin e çdokujt. Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë”, kështu e përfundoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagimin e tij pas pjesëmarrjes për herë të parë në “Paradën e Krenarisë” së komunitetit LGBTQIA+, raporton Gazeta Sinjali.
Ai gjithashtu shtoi se kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e këtij komuniteti janë të papranueshme.
Me të parë kryeministrin në këtë marsh, shumë qytetarë shpërthyen në rrjete sociale, duke kundërshtuar kategorikisht përkrahjen e Kurtit për këtë komunitet.
Shumica e tyre nuk e besojnë një gjë të tillë, ndërsa të tjerët u betuan për ndëshkim ndaj Kurtit duke thënë se “s’do t’ia qesin votën më”.
Disa prej tyre kanë kërkuar edhe shpjegime nga Kurti për pjesëmarrjen e tij në këtë marsh.
“Qysh erdhe ti prej dy baballarve a prej dy nënave?”, e pyeti një qytetar.
“Kot me ju pyt, a po ju vonohen menstuacionet hiq? Na keni flliq Identitetin Shqiptar,fetar e kejt”, tha një tjetër.
“Turpi të mbuloftë, nuk ta dha populli këtë mandat të prekësh kufijtë e familjes, edhe ty të pret fati i atyre para teje, ky turp do të ndihmon në politikë aq sa u ka ndihmuar atyre para teje, pse nuk ia le popullit të vetëvendosë?”, shtoi një tjetër.
“As një kryeministër të naj shteti tjetër se kam pa qe del ne një kësi lloj parade, kto mbahen gjithkund po nuk i kushtojnë vëmendje sikur në Kosovë. Bërllog është puna”, u shpreh qytetari.
Madje qytetarët u revoltuan aq shumë sa shpërthyen edhe në ofendime e kërcënime ndaj Kurtit.
Kujtojmë se Kodi Civil ka qenë i pari në listën e projektligjeve që Ministria e Drejtësisë ka vendosur si synim t’i miratojë këtë vit. Me 29 vota kundër, projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 16 mars 2022. Në mesin e këtyre 29 votave kundër ishin 14 deputetë të Vetëvendosjes.
Sipas projektkodit, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend, por nuk është e qartë se kur.