Grupi i kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kanë reaguar ndaj një postimi të kryetarit të kësaj komune, Mytaher Haskuka, i cili ka akuzuar disa asamblistë të VV-së se po koordinohen me opozitën për sabotimin e projekteve.
“Është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të VETËVENDOSJES koordinohen me këta të PDK-së, LDK-së, NISMAs dhe AAK-së, për sabotimin e projekteve qeveritare”, kishte shkruar Haskuka në Facebook.
Asamblisti i VV-së, Karanfil Haxhillari, në seancën e sotme të zhvilluar në Kuvendin Komunal të Prizrenit këtë akuzë e ka quajtur të turpshme dhe jashtë logjikës, duke thënë se për mungesën e numrave në Kuvend nuk ia ka fajin as kuvendari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as Lëvizja Vetëvendosje, dhe se numrat i ka humbur vet duke mos u konsultuar me ta.
Haxhillari i është drejtuar Haskukës, duke i thënë se kjo deklaratë është ‘krejt jashtë logjikës’, sepse asamblistët gjithëherë kanë votuar pro.
Ai tha se të gjitha pikat e rendit të ditës, që tre vjet e gjysmë, asamblistët e VV-së, i kanë votuar.
“Turp të qoftë kryetar. Të sulmosh anëtarët e subjektit tënd, pa asnjë fakt, vërtetë është për të ardhur keq, këta kuvendarë s’i pyete asnjëherë, gjithë pikat e rendit të ditës në Kuvend, janë hedhur pa u konsultuar me grupin e kuvendarëve, kjo akuzë e rëndë, do të trajtohet edhe në organet e partisë”, ka thënë Haxhillari.
Ky është postimi i kryetarit Haskuka, ku përfshihet edhe akuza në fjalë:
Haskuka po ashtu tha se asamblistët e Komunës së Prizrenit nuk e kanë votuar edhe pikën e rendit të ditës lidhur me propozim-vendimin mbi dhënien e pronave komunale për organizatat e shoqërisë civile.