image Trupi gjykues refuzon kërkesën e avokatit të Haradinajt për shtyrje të seancës

Drejtësi

Trupi gjykues refuzon kërkesën e avokatit të Haradinajt për shtyrje të seancës

news image

Nga trupi gjykues është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së Nasim Haradinajt, avokatit Toby Cadman për të shtyrë procedurat gjyqësore deri të mërkurën.

Kërkesa e Cadman është bërë pasi i njëjti ka thënë se është infektuar me koronavirus dhe ka pengesa në komunikim me të akuzuarin.

Në seancën e sotme gjyqësore në dhomat e Specializuara në Hagë, Cadman ka thënë se deri të mërkurën edhe Nasim Haradinaj do të mund të lirohej nga karantina ku po qëndron për shkak të virusit.

“Do të kërkoja të shtyhet procedura për dy ditë të tjera, deri të mërkurën, në mënyrë që të përmirësohet situata ime shëndetësore dhe shpresojmë që zotëri Haradinaj të ketë dalë nga karantina, zotëri Berisha do të ketë mundësi të jetë i pranishëm po ashtu, dhe duam që zotëri Haradinajt të jetë i pranishëm në gjykatë, shpresojmë që kjo mos të jetë kërkesë jo e arsyeshme dhe dua të ju kërkoj që këtë kërkesë ta merrni seriozisht, e kemi të pamundur të vijojmë në këto rrethana po kërkojmë një shtyrje shumë të kufizuar”, ka thënë avokati Cadman.

Por, këtë e ka kundërshtuar zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Prokuroria vëren se në çështjen Haradinaj kemi dy bashkëmbrojtës që janë të disponueshëm, njëri që e ndjek online dhe një tjetër që është i pranishëm në gjykatë, bashkëmbrojtësi i cili është në gjykatë ka mundësi të ndjek seancat private, për këtë arsye nuk ka justifikim për shtyrjen e seancave të planifikuara”, ka thënë prokurorja Valeria Bolici.

Lidhur me këtë çështje, avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka sugjeruar që seancat të mbahen të gjitha të hapura.

Edhe pse Rees ka deklaruar që emrat të cilët do t’i përmendin gjatë seancave janë publik, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së informacioneve konfidenciale.

Ai ka bërë të ditur se seancat do të vazhdojnë ashtu siç ishin planifikuar duke hedhur poshtë kështu kërkesën e avokatit të Haradinajt për shtyrje të procedurave.

Edhe njëherë, ai ka kërkuar nga avokatët që pyetjet që do të shtrohen gjatë gjykimit të lidhen vetëm me çështjen në fjalë./GazetaSinjali/