Një nga realitetet e zymta të luftës është trajtimi i trupave të të vrarëve në konflikt – dhe kjo përfshin ushtarët rusë.
Reuters tregon ngjarjen e trenave të specializuar frigoriferikë, që përdoren nga Ukraina për të ruajtur të vdekurit.
“Në këtë tren frigorifer mbahen disa qindra trupa të pushtuesve rusë. Shumica e tyre janë sjellë nga rajoni i Kievit, ka disa nga rajoni i Chernihiv dhe nga disa rajone të tjera gjithashtu”, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve.
Volodymr Lyamzin, përgjegjës për bashkëpunimin civilo-ushtarak, tha se trupat po ruheshin në këtë mënyrë, në mënyrë që të mund të ktheheshin përfundimisht në atdheun e tyre.
“Sipas normave të së drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe Ukraina po i ndjek me përpikëri ato, pasi të përfundojë faza aktive e konfliktit, palët duhet të kthejnë trupat e ushtrisë së një vendi tjetër”, tha ai.
Ka disa trena të tillë të shpërndarë nëpër vend, shtoi ai.