image Trumpi kërcënon Irakun me sanksione nëse dëbohen forcat amerikane

Botë

Botë/ Trumpi kërcënon Irakun me sanksione nëse dëbohen forcat amerikane

news image

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se SHBA-të nuk do të largohen nga Iraku, përderisa nuk shpaguhen për një bazë ajrore të ndërtuar atje.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj rezolutës së miratuar nga parlamenti irakian, i cili i kërkoi të dielën qeverisë të largojë 5 mijë e 200 trupat amerikane që ndodhen aty.

Trumpi u tha gazetarëve në avionin presidencial të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ajrore “jashtëzakonisht të shtrenjtë” që kushton miliarda dollarë.

“Ne nuk largohemi derisa ata nuk paguajnë”, tha ai duke kërcënuar me sanksione “çfarë nuk i kanë parë kurrë më parë”, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të largohen “miqësisht” nga Iraku.

Shtetet e Bashkuara përdorin 12 objekte të ndryshme ushtarake gjithandej Irakut. Trumpi nuk e saktësoi se për cilën bazë po fliste.

Parlamenti irakian kërkoi largimin e trupave amerikane, në shenjë proteste ndaj sulmit me dron në aeroportin e Bagdadit, që vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani.

Shumica shiite në parlament votoi për rezolutën nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje qeverisë t’i japë fund marrëveshjes dypalëshe me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që parashikon qëndrimin e trupave në tokën irakiane.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, u shpreh skeptik se forcat amerikane do të dëboheshin. Ai tha për rrjetin televiziv “Fox News” se “Uashingtoni ka besim se populli irakian dëshiron që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë atje”.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha Shtetet e Bashkuara janë të “zhgënjyera” nga vendimi i Irakut dhe po presin sqarimin e ligjshmërisë së vendimit. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Irakut të ndryshojë qëndrimin e tij.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku, ranë dakord për rikthimin e trupave amerikane në Irak katër vite më parë për të ndihmuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Kjo ndodhi pas tërheqjes së të gjitha forcave amerikane që kishin ndërhyrë në vitin 2003 për rrëzimin e diktatorit irakian Saddam Hussein./voa