Debati për rikthimin e Turqisë në programin amerikan të avionëve luftarakë F-35 është rikthyer në Uashington, ku ligjvënës dhe organizata lobuese po kërkojnë të pengojnë çdo përpjekje për t’i hapur rrugë Ankarasë.
Çështja mori sërish vëmendje pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, megjithëse administrata amerikane nuk ka marrë ende ndonjë vendim zyrtar për rikthimin e Turqisë në program.
Greqia ka bërë të ditur se respekton të drejtën sovrane të SHBA-së për të vendosur mbi shitjen e armëve, por këmbëngul se çdo furnizim me sisteme të avancuara ushtarake për Turqinë duhet të shoqërohet me garanci se ato nuk do të përdoren kundër një vendi tjetër anëtar të NATO-s.
Në Kongresin amerikan, kundërshtarët e rikthimit të Turqisë kujtojnë se përjashtimi i saj nga programi F-35 në vitin 2019 lidhej drejtpërdrejt me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Kongresistja demokrate Dina Titus ka udhëhequr nismën e parë publike kundër ndryshimit të kësaj politike, duke siguruar nënshkrimet e 18 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Ata kërkojnë që administrata amerikane të respektojë ligjet ekzistuese dhe paralajmërojnë se Kongresi mund të ndërhyjë nëse tentohet rikthimi i Turqisë në program.
Ligji amerikan CAATSA, i miratuar për të sanksionuar vendet që blejnë pajisje ushtarake nga Rusia, si dhe dispozita të tjera të miratuara nga Kongresi, ndalojnë furnizimin e Turqisë me avionët F-35 për sa kohë që ajo vazhdon të zotërojë sistemin S-400.
Një nga skenarët që po diskutohet në Uashington është transferimi i sistemit S-400 në një vend të tretë, çka mund të hiqte një nga pengesat ligjore për rikthimin e Turqisë në program.
Përtej aspektit ligjor, zyrtarët amerikanë mbeten të shqetësuar se funksionimi i sistemit rus S-400 në të njëjtin mjedis me avionët F-35 mund të komprometojë teknologjinë e avancuar të avionit, duke lejuar mbledhjen e të dhënave të ndjeshme që mund të përfundojnë në duart e Rusisë.
Për këtë arsye, lobimi kundër rikthimit të Turqisë po vazhdon në Uashington, jo vetëm nga organizatat greko-amerikane, por edhe nga grupe të tjera me ndikim, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të varet nga balanca mes dëshirës së Shtëpisë së Bardhë për të përmirësuar marrëdhëniet me Ankaranë dhe qëndrimit të Kongresit amerikan.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!