image Trump: Sigurisht që do të largohem nga Shtëpia e Bardhë nëse Biden fiton Kolegjin Elektoral

Trump: Sigurisht që do të largohem nga Shtëpia e Bardhë nëse Biden fiton Kolegjin Elektoral

news image

Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, nëse Kolegji Zgjedhor voton për Presidentin e zgjedhur, demokratin Joe Biden, shkruan Gazeta Sinjali.

Trump foli para gazetarëve me rastin e festës së Falënderimeve dhe tha se nëse Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar, certifikohet si fitues i zgjedhjeve nga Kolegji Elektoral, ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Ai po ashtu shtoi se do të ishte e vështirë për të që të pranonte humbjen në rrethanat aktuale, gjersa nuk pranoi të thoshte nëse do të merrte pjesë në inaugurimin e Biden.

“Këto zgjedhje ishin një mashtrim,” këmbënguli Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa vazhdoi të mos ofronte prova konkrete për parregullsi masive në votime.

Joe Biden i fitoi zgjedhjet me 306 vota të Kolegjit Elektoral, shumë më tepër sesa 270 që nevojiteshin, kundrejt 232 të fituara nga Presidenti Trump. Elektorët do të mblidhen më 14 dhjetor për të zyrtarizuar rezultatin. Biden mori gjithashtu 6 milionë vota popullore më shumë sesa Trumpi.

Trump deri tani ka refuzuar të pranojë plotësisht humbjen, megjithëse javën e kaluar, me presionin në rritje nga radhët e tij republikane, ai ra dakord të lejonte zyrtarisht ekipin e Biden të fillonte procesin e tranzicionit.

I pyetur nëse do të largohej nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Biden, presidenti Trump tha: “Sigurisht që do ta bëj. Padyshim që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë”.

“Por unë mendoj se do të ketë shumë gjëra që do të ndodhin nga tani deri në 20 janar. Shumë gjëra,” tha ai. “Është gjetur mashtrim masiv. Jemi bërë si një vend i botës së tretë.”

Përpjekjet e dëshpëruara të Trumpit dhe të ndihmësve të tij për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore, ose me procese gjyqësore ose me presion ndaj ligjvënësve të shtetit, kanë dështuar dhe alternativat e tij po shterojnë.

Në SHBA, një kandidat bëhet president duke siguruar votat elektorale dhe jo duke fituar shumicën e votave popullore në shkallë vendi.

/Gazeta Sinjali/