Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka uruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për ditën e pavarësisë me mesazhin e mirëpritjes së miqësisë mes dy shteteve.
Urimin e Trumpit, Vuçiqit ia ka përcjell ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey.
“I nderuari president, populli amerikan dhe unë personalisht dërgojmë urimet më të ngrohta juve dhe popullit serb me rastin e ditës së pavarësisë, 15 shkurt”, thuhet në mesazhin e urimit të Trumpit, raportojnë mediat serbe.
Trump në mesazhin e urimit po ashtu ka paraqitur një kërkesë për Serbinë duke i bërë thirrje për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Normalizimi i raporteve me Kosovën duhet të jetë prioritet në rrugën e integrimit evropian të Serbisë. Në të ardhmen, mund të mbështeteni tek përkrahja e SHBA-së në rrugën tuaj për arritjen e synimit, anëtarësimin në BE si dhe përpjekjeve për fuqizimin e reformave që janë të nevojshme për të arritur deri tek caku i dëshiruar”, shtoi Trump.
Ndryshe, Serbia e shënon ditën e pavarësisë më 15 shkurt./GazetaSinjali/