Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për një zjarr të madh në komunë të Shtimes, i cili ndodhi rreth orës 00:35.
Incidenti ka ndodhur në rrugën “Komandant Kumanova”, në Porodime të Shtimës, në aksin e rrugës Koshare, afër objektit “Doni Fruit”, i cili shërben për paketimin e ambalazheve të këtij operatori ekonomik.
Siç mëson Sinjali, si pasojë e këtij zjarri është dëmtuar një trafo e rrymës, objekti ku kryhet paketimi i ambalazhës, një objekt afër i pabanuar dhe paleta të tëra nga druri dhe materiale plastmase.
Për shuarjen e zjarrit kanë intervenuar tri njësi të zjarrfikësve, ata të Shtimes, Ferizajt dhe Lipjanit.
Sipas të njëjtave burime, mësohet se dëmet materiale janë të mëdha, por ende nuk dihet shuma e saktë.
Me urdhër të prokurores kujdestare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, hetimet do të vazhdojnë edhe sot, ku do të bëhet incizimi i vendit të ngjarjes.
Nga kompania “Doni Fruits”, kanë njoftuar se asnjë person nuk është lënduar nga ky rast, duke shtuar që ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri.