image Trepça triumfon ndaj Rahovecit dhe pa problem kalon në gjysmëfinale të Kupës

Basketboll

Trepça triumfon ndaj Rahovecit dhe pa problem kalon në gjysmëfinale të Kupës

news image

Trepça ka shënuar fitore bindëse ndaj Rahovecit me rezultat 77:57 (14:8, 26:17, 22:17, 15:15), për tu kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Mitrovicasit nga fillimi i ndeshjes ishin më të mirë. Në çerekun e parë e nisën lojën për mrekulli, me një epërsi 13:4, dhe e kontrolluan këtë pjesë duke e fituar me rezultat 14:8. Xehetarët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 17 pikë, 40:23, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 40:25.

Vreshtarët nuk ishin në të ditën më të mirë të tyre, kurse mitrovicasit aplikuan një mbrojtje të fortë, e kjo solli sukses, për të thelluar epërsinë edhe më shumë, që shkoi deri në 24 pikë, 62:38, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 62:42. Në dhjetë minutat e fundit, mitrovicasit kontrolluan lojën dhe për asnjë moment nuk e rrezikuan fitoren, duke triumfuar me shifrat 77:57.

Te Trepça u dalluan Amin Hot me 14 pikë e katër kërcime dhe Drilon Hajrizi me 17 pikë, kurse te Rahoveci u dalluan Tj Dunans me 14 pikë e tetë kërcime dhe Fisnik Rugova me dhjetë pikë e tetë kërcime.

Trepça në gjysmëfinale e pret fituesin e ndeshjes Peja-Sigal Prishtina, që zhvillohet nga ora 20:00.  /Gazeta Sinjali Sporti/