Trepça ka shënuar fitore bindëse ndaj Rahovecit me rezultat 77:57 (14:8, 26:17, 22:17, 15:15), për tu kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Mitrovicasit nga fillimi i ndeshjes ishin më të mirë. Në çerekun e parë e nisën lojën për mrekulli, me një epërsi 13:4, dhe e kontrolluan këtë pjesë duke e fituar me rezultat 14:8. Xehetarët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 17 pikë, 40:23, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 40:25.
Vreshtarët nuk ishin në të ditën më të mirë të tyre, kurse mitrovicasit aplikuan një mbrojtje të fortë, e kjo solli sukses, për të thelluar epërsinë edhe më shumë, që shkoi deri në 24 pikë, 62:38, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 62:42. Në dhjetë minutat e fundit, mitrovicasit kontrolluan lojën dhe për asnjë moment nuk e rrezikuan fitoren, duke triumfuar me shifrat 77:57.
Te Trepça u dalluan Amin Hot me 14 pikë e katër kërcime dhe Drilon Hajrizi me 17 pikë, kurse te Rahoveci u dalluan Tj Dunans me 14 pikë e tetë kërcime dhe Fisnik Rugova me dhjetë pikë e tetë kërcime.
Trepça në gjysmëfinale e pret fituesin e ndeshjes Peja-Sigal Prishtina, që zhvillohet nga ora 20:00. /Gazeta Sinjali Sporti/