Trepça ka shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 96:8 (17:11, 26:23, 25:23, 28:24), në derbin e xhiros së 18-të Superligës së Kosovës në basketboll, transmeton Sinjali Sport.
Vendasit e nisën ndeshjen për mrekulli me një seri prej 12:2, ndërkohë, që mysafirët e ndienin shumë mungesën e Dardan Berishës, Ilter Erdem dhe Stephen Maxwell të lënduar, ndërsa që mitrovicasit e fituan çerekun e parë 17:11.
Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë, duke e thelluar edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 20 pikë, 43:23, megjithatë, pejanët arritën të ngushtojnë shifrat në 43:34, sa përfundoi pjesa e parë.
‘Xehetarët’ e nisën pjesën e dytë më mirë, përkatësisht periodën e tretë, ku sërish shkëputen në 21 pikë, kurse e gjitha çfarë bënë mysafirët ishte ngushtimi i rezultatit, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 68:57.
Në dhjetë minutat e fundit, loja u menaxhua nga vendasit që për asnjë moment nuk rrezikuan fitoren, duke triumfuar me rezultat 96:81.
Te mitrovicasit u dalluan Amin Hot me 18 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime dhe Drilon Hajrizi me 21 pikë, shtatë kërcime e katër asistime, kurse te pejanët u dallua Tyrone White me 35 pikë e gjashtë kërcime.
Vendasit kanë 12 fitore e gjashtë humbje, ndërsa mysafirët kanë 11 fitore e shtatë humbje. /Gazeta Sinjali Sporti/