Tre të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë së Himarës, pasi dyshohet se kanë hyrë me forcë në banesën e një 70-vjeçari në fshatin Borsh, të cilin e kanë mbajtur me dhunë dhe e kanë kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim që t’i grabisnin një shumë parash.
Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin mbajtur nën vëzhgim banesën e të moshuarit për dy ditë me radhë dhe kishin marrë me qira një automjet për të realizuar planin e tyre. Njëri prej tyre rezulton se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.
“Sekuestrohet automjeti tip ‘Mercedes-Benz’.Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një 70-vjeçari, se më datë 12.07.2026, në fshatin Borsh, 3 shtetas kishin hyrë në banesën e tij, e kishin mbajtur me dhunë dhe e kishin kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim vjedhjen e një shume parash, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin policor të koduar ‘Shuma’. Në kuadër të operacionit u identifikuan, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit: Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë; T., 23 vjeç, banues në Vlorë; C., 19 vjeç, banues në Vlorë. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve. Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin”, shkruan Policia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!