Posta e Kosovës ka emërtuar sot tre pulla postare me imazhet e atdhetarëve: Shtjefën Gjeçovi, Ahmet Gashi dhe Mehmet Gjevori, pasi që dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në lëmin e arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare.
Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu ishte shkrimtar, etnolog dhe arkeolog i shquar i etno-kulturës shqiptare. Ai përgatiti veprën kapitale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që paraqet një monument të së drejtës zakonore të shqiptarëve. Gjithë veprimtaria arsimore dhe kulturore e tij përshkruhet me patriotizëm, për të cilën edhe vihet në shënjestër të shovinistëve serb, të cilët organizojnë vrasjen e tij më 14 tetor 1929.
Ahmet Gashi pasi mbaroi studimet për histori dhe gjeografi në Universitetin e Stambollit, kthehet si mësues në Prishtinë dhe me nxitjen e Hasan Prishtinës u zgjodh sekretar i Klubit Shqiptar të Prishtinës. Ishte autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë dhe hartave të Shqipërisë. Nga viti 1936 ishte anëtar nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës. Vdiq në Tiranë, më 1977.
Mehmet Gjevori ishte autor i Abetares së parë shqipe në Kosovë, autor i botimit “Frazeologjizmat e gjuhës shqipe dhe shpjegime”, si dhe autor i shumë librave të ndryshme. Kontributi i tij vazhdoi deri në përfundim të jetës në 2007./Gazeta Sinjali/