Tre profesorë të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu nga departamenti i Shkencave Politike, Gani Jashari nga departamenti i Fizikës dhe Salem Lepaja nga departamenti i Telekomunikacionit, u shprehën të gatshëm që vetingu të fillojë me ta, nëse një proces i tillë fillon në Kosovë.
Në tryezën e mbajtur nga ORCA me temën “Çka po ndodh me arsimin në Kosovë, a është vetingu zgjidhja?”, pati pjesëmarrës nga OJQ-të aktive në Kosovë, profesorë universitarë, përfaqësues të organizatave studentore dhe studentë.
E gjithë tryeza u dakordua që arsimi në vend ka nevojë për reforma rrënjësore në të gjitha nivelet e tij dhe se vetingu është një nga instrumentet për të filluar reformën si mjet skanimi i gjendjes.
“Befasi e tryezës, ishin profesorët universitarë të cilët përveç që e panë të nevojshëm një mjet të tillë si vetingu, ata edhe u shprehën të gatshëm që të jenë të parët që verifikohen nëse një proces i tillë zhvillohet në vendin tonë.”, thuhet në njoftimin e dërguar për medie nga ORCA.
Në tryezë u diskutua edhe për rezultatet e nxënësve në PISA, si dhe nevojën për reformë rrënjësore në arsimin parauniversitar./ Gazeta Sinjali/