E ndjera Sadije Godeni, në orët e para të mëngjesit të sotëm u përball me sulmin brutal nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni, i cili me anë të goditjeve me sëpatë dyshohet se i shkaktoi vdekjen 63-vjeçares. Rreth orës 05:00 të mëngjesit ajo u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj në rrugën ‘Mark Isaku’ në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
63-vjeçarja ishte mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Dardania’ në kryeqytet dhe për vite me radhë ka edukuar breza të tërë.
Për aktin makabër që dyshohet se kishte kryer, Izeti njoftoi vetë Policinë, ku ka deklaruar se ka vrarë bashkëshorten e tij.
Me urdhër të prokurorit, 70-vjeçari është ndaluar për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’, ndërsa trupi i pajetë i Sadijes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.