Një numër i madh i pasagjerëve kanë mbetur duke pritur tash e disa orë në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, për shkak se fluturimi Prishtinë-Helsinki i planifikuar për datën 31 korrik është anuluar sepse ka pasur probleme teknike me aeroplanin, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kompaninë “Reisebüro Prishtina” të cilët kanë thënë se fluturimi është shtyrë për datën 1 Gusht.
“Ka pasur aeroplanin problem teknik edhe është pas 24 orëve të realizohet fluturimi. Për çështje sigurie fluturimet nuk i kemi lejuar me u realizuar fluturimi me datën që është parapa. Kemi prit që ka me qenë në rregull po nuk është tejkaluar qaj problem që është shty. Me datën 1 realizohet fluturimiu në orën 1:40 në mëngjes“, thanë nga kjo kompani.
Një tollovi e madhe është krijuar në hapësirat e aeroportit të Prishtinës ku në disa video të publikuara shihet se qytetarë të shumtë kanë mbetur duke pritur në këtë aeroport.
Të pyetur se a janë njoftuar udhëtarë ata kanë thënë se kompania e ka bërë njoftimin në momentin që është marrë konfirmimi se fluturimi është anuluar.
“I kemi njoftuar në momentin që e kemi marrë konfirmimin prej kompanisë ne i kemi njoftuar në mëngjes”, shtuan nga kompania.