image Toka në rrezik: 5 vitet e fundit - më të ngrohtat në histori

Botë

Botë/ Toka në rrezik: 5 vitet e fundit – më të ngrohtat në histori

news image

Pesë vjetët e fundit janë periudha më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në planet, njoftuan Kombet e Bashkuara përpara samitit të klimës që do të mbahet në prani të 60 liderëve botërorë në Nju Jork.

Temperatura mesatare në 2015-2019 është më e lartë 1.1 gradë Celsius në raport me periudhën 1850-1900, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë.

Të dhënat e fundit konfirmojnë tendencën e katër vjetëve të mëparshme, të cilat tashmë kanë qenë më të ngrohtat të regjistruara që nga viti 1850.

Korriku 2019 u karakterizua nga më shumë valë të nxehta sidomos në Evropë, duke thyer rekordin absolut të temperaturave.

Qymyri, nafta dhe gazi vazhduan të rriten gjatë gjithë vitit 2018. Emetimet e gazit serë janë rritur, dhe do të jenë të paktën në të njëjtin nivel sikurse më 2018, sipas shkencëtarëve që punojnë në këtë raport të KB.

Përqendrimi i dyoksidit të karbonit në atmosferë pritet të arrijë një kulm të ri deri në fund të vitit 2019, sipas të dhënave paraprake – 410 pjesë për milion.

Sipas angazhimeve të tanishme të vendeve për të zvogëluar emetimet e tyre, planeti ynë do të jetë më i ngrohtë ndërmjet 2.9 dhe 3.4 gradë Celsius deri në vitin 2100.

Nga kjo rrjedh se përpjekjet e vendeve për të luftuar gazrat e dëmshme duhet të rriten për të mbajtur ngrohjen në plus 1.5 gradë Celsius siç parashikohet në Traktatin e Parisit 2015.

Në realitet, ngrohja mund të jetë edhe më e lartë, sipas modeleve të fundit të klimës, siç janë ato të parashikuara nga një ekip francez, sipas të cilit skenari i rastit më të keq mund të jetë rritja e temperaturës për 7 gradë Celsius.

“Përçarja nuk ka qenë kurrë aq e madhe midis asaj që bota dëshiron të arrijë dhe realiteteve të planeve të vendeve për klimën”, paralajmërohet në raport.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dëshiron të fillojë mbylljen e kësaj ndarjeje duke mbledhur 60 liderë në OKB të hënën, përpara seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme dhe tre ditë pas demonstratave të mëdha rinore për ruajtjen e klimës në gjithë botën.

“Shumë udhëheqës duhet të premtojnë se do të arrijnë emetimet zero deri në vitin 2050”, tha Guterres./Gazeta Sinjali/