Vërshimet si pasojë e shiut të madh ishin tragjike për qytetin e Pejës. Gjithë vendi u trondit për vdekjen e një nëne dhe fëmijës të saj 5-vjeçar, anëtarë të familjes Ademaj, raporton Gazeta Sinjali.
Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një prononcim për Sinjalin mëngjesin e sotëm, vetëm pak orë pas vërshimeve, tha se situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident tjetër, përveç rastit tragjik.
Pavarësisht se Muhaxheri tha se nuk dihet ende për dëmet e shkaktuara si pasojë e vërshimeve, në pamjet që qytetarët po i publikojnë nga atje shihet se pasojat materiale janë jashtëzakonisht të mëdha.
Shtëpi të shkatërruara, toka të çara në mes, vetura të dëmtuara nga shembja e rrënoja, janë vetëm disa nga dëmet në zona të ndryshme të Pejës.