Derbi i kryeqytetit ngjyroset bardheblu, me Tiranën që triumfon minimalisht 1-0 ndaj Partizanit dhe shkëputet sërish e vetme në krye të renditjes, tani me 14 pikë, tre më tepër se ndjekësit më të afërt.
Në një “Air Albania” që “ziente” nga prania e më shumë se 10 mijë tifozëve, pjesa e parë prodhoi spektakël, tension, VAR, penallti dhe golin e vetëm të ndeshjes, që mban firmën e Vesel Limajt, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e tetë shtesë.
Paraprakisht, kishte një konfrontim fizik mes lojtarëve të të dyja ekipeve, pas një ndërhyrje të palejuar.
Ndërkaq, gjatë pjesës së parë, ndeshja u ndërpre për shkak të mjeteve piroteknike që tifozët i hodhën në stadium.
Nga ana tjetër, Partizani bën mirë vetëm në 15-20 minutat e para dhe nuk ia del të shmangë humbjen e dytë sezonale, ndërsa për fitoren e parë do të duhet të presë ende, pasi prej 6 javësh nuk arrin të shkojë te suksesi. /Gazeta Sinjali Sporti/