Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj është zotuar se Bashkia e Tiranës do të mbështes financiarisht komunën e Preshevës me qëllim që të sanohen dëmet të cilat janë shkaktuar nga vërshimet.
Veliaj këtë e ka bërë të ditur në postimin e tij në Twitter.
“Jemi pranë vëllezërve e motrave tona në Preshevë , të cilët po përballen me dëmet nga reshjet e dendura të orëve të fundit. Tirana është me ju, jo vetëm me zemër, por dhe me mbështetje konkrete përmes një fond ndihme, që do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të K. Bashkiak”, ka shkruar ai.
Kurse kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka falënderuar kryetarin e Tiranës për këtë mbështetje.
“Mbështetja vëllazërore është kurajo e jashtëzakonshme për të përballuar situata të vështira për qytetarët e komunës së Preshevës. Faleminderit Tirana, faleminderit Erion”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social “Facebook”. /GazetaSinjali/