image Thellohet përplasja: Skender Hyseni thotë se Albin Kurti po sillet sikurse të jetë i zbrituri nga qielli

Kosovë

Thellohet përplasja: Skender Hyseni thotë se Albin Kurti po sillet sikurse të jetë i zbrituri nga qielli

news image

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni ka pasur kritika të shumta kundrejt Vetëvendosjes dhe kreut të saj Albin Kurti, mandatarit për kryeministër të Kosovës. Sipas tij Vetëvendosje po synon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Vetëvendosje e ka gabim nëse mendon se mund ta nëpërkëmbë LDK-në. Nëse Kurti nuk bëhet kryeministër LDK-ja do të përçahet, e kjo është qesharake, ndjellakeqëse dhe monstruoze. Është njësoj sikur të synosh miqësi dhe t’ia duash të keqen. Nëse duam të vijmë në një përfundim të saktë dhe të paanshëm. Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve, ajo është e lirë të presë ose të mos presë. Dhe ajo nuk është duke pritë. Po do t’i shterë të gjitha procedurat, dhe kam bindjen se me këto veprime Vetëvendosje synon zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Hyseni.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje nuk e ka problem punën e kryeparlamentarit, derisa thotë se LDK-ja nuk është aspak përgjegjëse për situatën e krijuar. E Hyseni ka thënë se Osmani e ka lutur Kurtin që të shtyjë seancën për konstituimin e Kuvendit.

“Nëse Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të votonte kryeparlamentarin dhe do të bllokonte konstituimin e Kuvendit. LDK-ja aspak nuk është përgjegjëse. E kemi votuar duke menduar se në atë moment që VV-ja njëanshëm vendos, atëherë ka hequr dorë për LDK-në si partner. E di sigurt se Osmani e ka lutur Albin Kurtin që ta shtyjë një javë konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Hyseni.

“3-4 orë para mbledhjes së Kuvendit kemi analizuar situatat. Ata mund ta propozojnë dikë për kryeparlamentar, dhe nëse ndodh atëherë në opinion ne s’mund të shihemi si parti që i bllokojmë institucionet”, ka thënë Hyseni në Rubikon të ktv-së.

Hyseni thotë se VV-ja mund t’i ketë 50 propozime, por secili ka qenë më i keq se tjetri. Ai gjithashtu ka kritikuar sjelljen e Kurtit, duke thënë se ai po beson se është i zbrituri nga qielli.

“E sidomos ai për rritjen e ministrive, që ka synuar të i thotë LDK-së se po do shumë pushtet. Ky fitues i zgjedhjeve i ka 12.8 për qind. E nuk mund të sillesh si mbret dhe të besosh se je i tillë. Përshtypja ime është se Kurti po beson se është i zbrituri nga qielli dhe me 12.8 për qind mund të abuzojë si të do. Këtë e them pa asnjë keqadashje. Ky ambient politik nuk duron sjellje egocentrike. Ky sistem duron mirëkuptim e konsensus të pafund”, ka thënë Hyseni.

E Hyseni është edhe kundër vijave të kuqe, thotë se asnjëherë nuk është pajtuar me to.

“Asnjëherë nuk jam pajtuar me vija të kuqe, sepse ambienti politik në Kosovë është shumë i kondensuar dhe sistemi elektoral është i tillë, dhe vendosja e vijave të kuqe komplikon gjithçka. Ato i shoh si miopi politike, sepse kjo i bie të marrësh një veprim përjashtues dhe mund ta gjesh veten pa asnjë partner. Vijat e kuqe po u vendosen edhe qytetarit të Kosovës. A duam që me vija të kuqe të bllokojmë secilin institucion të Kosovës”, ka thënë Hyseni.