image The Guardian: Tifozët e Serbisë ‘shfaqën slogane fashiste dhe kënduan për vrasjen e shqiptarëve’

Futboll

The Guardian: Tifozët e Serbisë ‘shfaqën slogane fashiste dhe kënduan për vrasjen e shqiptarëve’

news image

Tifozët e Serbisë përdorën slogane fashiste dhe thirrje raciste ndaj shqiptarëve, gjatë ndeshjes së ekipit të tyre kundër Zvicrës të premten mbrëma, shkruan The Guardian.

Skenat në Stadiumin 974 në Doha, ku Zvicra fitoi me rezultat 3-2 për të siguruar një vend në 1/8 e finales, në një ndeshje që eskaloi gjatë pjesës së dytë, ngrejnë pikëpyetje për drejtimin e FIFA-s dhe, në veçanti, tolerancën e saj të dukshme ndaj shenjave fyese.

Një prej tifozëve që ishte prezent në stadium, Hasan Rrahmani, për The Guardian, ka treguar se si FIFA bëri ndasime në raport me simbolet kombëtare të përdorura nga të dy palët.

Kur kishte mbërritur me një flamur kuq e zi në qafë, Rrahmanit i kishin thënë që nuk i lejohet të hyjë derisa serbët u lejuan, anipse mbanin simbole të ngjashme. “Isha krejtësisht i shtangur kur pashë numrin e parullave fashiste, bluzave dhe flamujve”, tha Rrahmani.

Thirrjet raciste të serbëve ndaj shqiptarëve, Rrahmani thotë se po fillonin që në fazën e hershme të mbrëmjes. “Isha i tronditur, absolutisht i shtangur,” thotë ai. “Serbët po këndonin këngët më të ndyra raciste.”

Midis atyre që ai thotë se dëgjoi ishin këngë që përfshinin fjalën “Shiptar”, një term i njohur nënçmues i përdorur kundër shqiptarëve, dhe një rutinë thirrje-përgjigje e “Vritni, vritni, vritni shqiptarët”.

Tifozët gjithashtu kënduan “Kosova është zemra e Serbisë”, lidhur me refuzimin e Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, thotë ai. “Thirrja fillonte në një cep dhe vazhdohej nga pjesa tjetër e tifozëve”.

Thirrje të tilla nuk janë të rralla në ndeshjet ku tensionet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë ndezur, përfshirë këtu lojën famëkeqe “me dron” në tetor 2014, kur një ndeshje kualifikuese për Euro 2016 në Beograd u shndërrua në kaos.

Rrahmani tregon se e kishte rimarrë flamurin e tij pas ndeshjes, ku pau edhe serbët duke i marrur gjërat e tyre të konfiskuara. Në këtë pikë, Rrahmani ishte sulmuar nga “shtatë apo tetë” mbështetës të Serbisë pas daljes nga zona e stadiumit.

“Ata më shtynë, duke më thënë: ‘Shko, q*je veten Shiptar’,” tha ai. “Më gjuajtën me ujë. U përpoqa të largohesha, por shtatë ose tetë burra të mëdhenj më ndiqnin. Në fund vrapova drejt policisë, e cila nuk bëri asgjë. Gjithçka që ndodhi këtë mbrëmje ishte thjesht e frikshme. Ajo që prisja të ishte një natë e mirë ringjalli të gjitha ato kujtime të së kaluarës që mendova se kishin ikur.” Ai thotë se policia ishin të sjellshëm, por i lanë serbët të largohen, pa asnjë dënim.

Serbia është tashmë nën hetim nga FIFA për shfaqjen e një flamuri që tregon Kosovën si pjesë të territorit të saj, së bashku me fjalët “Ne nuk dorëzohemi”, në dhomën e tyre të zhveshjes përpara se të përballet me Brazilin, javën e kaluar. Rrahmani thotë se flamuj të ngjashëm ishin të dukshëm brenda stadiumit.

“FIFA më habit”, thotë ai. “Si mundesh që, në vitin 2022, të lejosh tifozët në një stadium të Kupës së Botës të bërtasin për vrasjen e një kombi tjetër? Unë u largova duke u ndjerë i margjinalizuar dhe jo i mirëpritur nga FIFA”.

Ndeshja Zvicër-Serbi përfundoi me shumë polemika. Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri ishin dy futbollistët më të diskutuar të ndeshjes.

Xhaka mund të hetohet nga FIFA pasi ua “tregoi” organin gjenital lojtarëve serbë. Edhe lojtarë të tjerë nga të dy ekipet mund të rrezikojnë të njëjtën gjë.

Ndërsa, një tifoze është parë duke u shoqëruar nga stadiumi gjatë pjesës së dytë pasi bëri shqiponjën me duar. 

/GazetaSinjali/