image Thaçi takohet me Hysenin, i kërkon që të dialogojë me Serbinë vetëm për njohje reciproke

Politikë

Thaçi takohet me Hysenin, i kërkon që të dialogojë me Serbinë vetëm për njohje reciproke

news image

Presidenti Hashim Thaçi sot e ka pritur në takim koordinatorin shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hysenin.

Thaçi në këtë takim ka ritheksuar se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare që sjellë njohjen reciproke ndërshtetërore, shkruan Gazeta Sinjali.

Siç njofton Presidenca, Thaçi dhe Hyseni kanë biseduar edhe për nevojën e mbështetjes së këtij procesi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Thaçi e ka uruar Hysenin edhe një herë për emërimin e tij në këtë detyrë, duke shprehur besimin se me përvojën dhe angazhimin e tij do e koordinojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme.

“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Paraprakisht, Hyseni ishte në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti, ku, siç u tha, e njoftoi atë për takimet e delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë në Bruksel. /Gazeta Sinjali