Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas vendimit të Serbisë sipas të cilit dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht mbrëmë.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se kjo situatë është rezultat i neglizhencës së Qeverisë së Kosovës.
“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
Tutje, presidenti ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve në tërë territorin e Kosovës.
“Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës.I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Reagimi i presidentit erdhi pas raportimit të Gazetës Sinjali për vendimin e Serbisë me të cilin është lëshuar urdhri që Mitrovica Veriore dhe Zveçani të futen në karantinë dhe të izolohen 210 qytetarë nga disa komuna të Kosovës. /Gazeta Sinjali/