Një zyrtare e mbrojtjes së fëmijëve në Indonezi është shkarkuar nga posti që mbante pas deklaratave kundër shtatzanive të padëshiruara, pasi tha se gratë mund të mbeten shtatzënë edhe nëse notojnë në të njëjtën pishinë me burrat.
Sitti Hikmawatty në pretendimin e saj absurd këshillonte gratë që të mos laheshin në të njëjtën pishinë me burrat, nëse nuk donin të ngeleshin shtatzënë.
Komentet e Hikmawatty, u bënë objekt talljesh ndërkombëtare dhe autoritetet nisën hetimet. Ata i dhanë asaj zgjedhjen mes dorëheqjes ose shkarkimit.
Sitti i kishte bërë këto deklarata në një revistë në muajin e kaluar, ku mes të tjerash thoshte: “Ka një tip veçanërisht të fortë të spermës së mashkullit që mund të shkaktojë shtatzani edhe në një pishinë”.
Paneli i autoriteteve vendosi se ajo nuk ishte më e aftë ta mbante postin e saj, kështu që vendosën ta shkarkojnë.
Komisioni tha se ajo “kishte shkaktuar një reagim të gjerë publik, jo vetëm nga qytetarët e vendit por dhe nga jashtë në formë talljesh, që kishin shkaktuar pasoja mbi komisionin dhe shtetin. /Gazeta Sinjali/