image Tetë prej 20 të infektuarve me koronavirus në Kosovë janë liruar në shtëpi

Kosovë

Pandemia/ Tetë prej 20 të infektuarve me koronavirus në Kosovë janë liruar në shtëpi

news image

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 20 dhe gjendja shëndetësore e tyre është stabile. Kështu ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi, i cili tha se aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar vetëm 12 pacientë, ndërsa pjesa tjetër janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre.

Krasniqi tha se pacientët të cilët janë të vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre trajtohen nga ekipet e terrenit të Qendrave të Mjekësisë Familjare, por potencon se gjendja e tyre është e mirë përderisa nuk kanë nevojë të trajtohen në Klinikën Infektive.

“Gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive, që tashmë janë të konfirmuara se janë të prekur nga koronavirusi për momentin është stabile, gjendja e të gjithë të tyre pacientëve është e mirë…Aktualisht në Klinikë kemi 12 pacientë të shtrirë që tashmë është konfirmuar se janë të prekur nga ky infeksion…Ne supozojmë dhe besojmë që gjendja e tyre është e mirë përderisa janë në shtëpi dhe nuk kanë nevojë të vijnë në Klinikë”, tha ai.

Infektologu Krasniqi, deklaroi se ditën e djeshme kanë lëshuar për në shtëpi dy pacientë, ndërsa potencon se varësisht nga gjendja shëndetësore e pacientëve do të vendosin edhe për të tjerët nëse do të vazhdojnë trajtimin nga shtëpia e tyre.

“Ne kemi paralajmëruar dhe ju e keni pa që dje i kemi liruar dy pacientë dhe varësisht nga gjendja shëndetësore e të tjerëve do të lirohen në vazhdimësi. Në momentin që ne si klinicist e shohim të arsyeshme që pacientët duhet të lirohen në shtëpi ata lirohen. Keni parasysh se sëmundja është dinamike, pra nuk është një gjendje e cila është statike dhe nuk ndryshon dhe varësisht nga zhvillimi i gjendjes shëndetësore të secilit person, pra individualisht të secilit pacient, atëherë merren vendime se kur lirohen nga Klinika”, tha ai.

Sa i përket gjendjes së furnizimit me material mbrojtës, Krasniqi tha se në Klinikën Infektive kanë material të mjaftueshëm, por që potencon se është e domosdoshme që të furnizohet personeli i të gjitha niveleve./GazetaSinjali/