image Tetë anesteziologë dhe 30 infermierë janë të infektuar me koronavirus

Shëndetësi

Tetë anesteziologë dhe 30 infermierë janë të infektuar me koronavirus

news image

Tetë mjekë anesteziologë dhe 30 infermierë të Klinikës së Anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv janë në mesin e të infektuarve me koronavirus.

Nehat Baftiu, drejtor i klinikës së anesteziologjisë në QKUK , i tha Radios Evropa e Lirë se ky profil i punonjësve shëndetësorë janë në kontakt të drejtëpërdrejtë me pacientët e infektuar, andaj sipas tij, kjo është arsyeja e numrit të lartë të anesteziologëve, por edhe infermierëve të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

“I gjithë stafi i anesteziologjisë dhe mjekimit intenziv duhet me qenë afër fytyrës së pacientit, dhe normalisht që janë infektuar në vendin e punës. Puna me intervenimet jo urgjente është ndalur dhe jemi orientuar tek pacientët me COVID-19, në katër klinika: në infektive, mjekësinë sportive , mjekimin intensiv qendror dhe të tjera, ku po trajtohen pacientët me COVID-19’’, tha Baftiu.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet rajonale në vazhdimësi gjatë viteve të fundit janë përballur me mungesë të anesteziologëve.

Më 1 korrik, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “infektimi i një numri të lartë të personelit shëndetësor, mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve”.

Në Kosovë në mesin e të infektuarve me koronavirusin e ri janë edhe rreth 500 profesionistë shëndetësorë, 160 prej të cilëve janë mjekë.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se situata aktuale është mjaft alarmante, pasi siç thotë ai, numri i stafit brenda sistemit publik shëndetësorë, është më i ulët sesa nevojat që kanë klinikat që po trajtojnë pacientët me COVID-19.

“Situata po ndryshon nga dita në ditë. Janë deri në 500 punëtorë shëndetësorë të infektuar. Ne kemi pritur që të punësohen mjekë e infermierë të rinj, në mënyrë që sistemi të mos kolapsojë. Në të kundërtën nëse situata vazhdon kështu, dhe vazhdon infektimi i punëtorëve shëndetësorë – dhe tashmë kemi edhe një rast të vdekjes së mjekut – atëherë do të kemi telashe’’, tha Syla.

Të martën, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 541 pacientë, prej të cilëve 291 janë raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa 250 ende janë të pritje të konfirmimit.

Në njoftim theksohet se në trajtim me respiratorë janë 16 raste ndërsa me oksigjenoterapi 295 pacientë.

Që nga mesi i muajit mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 6,045.

Raste aktive me koronavirusin e ri aktualisht janë 2,675. /Gazeta Sinjali