Ngrohtorja Termokos ka nisur vendosjen e matësve të nxehtësisë për konsumatorët e kryeqytetit që të paguajnë aq sa harxhojnë, raporton Gazeta Sinjali.
Mbi 35 matës nxehtësie janë vendosur deri tash nga ngrohtorja e kryeqytetit.
“Qytetarët e Prishtinës- konsumatorët tanë, në momentin që do të krijojmë kushtet për fillimin e faturimit përmes matësve të energjisë, në gjë e kanë të sigurt, do të paguajnë aq sa shpenzojnë”, tha kryeshefi i Termokosit Fisnik Osmani për Gazetën Sinjali.
Më tej ai theksoi se pra, as më pak dhe as më shumë. Projekti ka vazhduar dhe po vazhdon edhe gjatë sezonit të ngrohjes.
Sipas tij në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save” deri më tani pajisjet moderne të faturimit dhe matjes janë instaluar tek 10 mijë e 25 njësi banesore, më saktësisht janë vendosur 35 mijë e 613 matës nxehtësie, 43 mijë e 269 valvola termostatike dhe 43 mijë e 269 termokoka.
“Projekti do të vazhdojë edhe më tutje, në mënyrë që gjithë konsumatorët të përfitojnë këto pajisje dhe nga sezoni i ardhshëm ngrohës 2023/2024 të fillojë faturimi sipas konsumit”, tha Osmani.
Kryeshefi i Termokosit tregon se ky projekt do të sjellë përfitime të shumta për konsumatorët tanë. Para së gjithash, me anë të këtyre pajisjeve ata do ta kenë më të letë, që të bëjnë kontrollimin e temperaturave të brendshme në ambientet e tyre.
Me anë të këtyre pajisjeve ata do të kenë mundësi, që në vend se të hapin dritaret për të liruar energjinë e tepërt, do ta ndërpresin konsumin e tepër të energjisë, gjë që kjo do të ndikojë edhe në uljen e shpenzimeve të tyre për faturat e ngrohjes.