image Termokos me tarifa të njëjta, por a dini si ta llogaritni faturën mujore?

Sociale

Termokos me tarifa të njëjta, por a dini si ta llogaritni faturën mujore?

news image

Çmimet në vend vetëm vazhdojnë të rriten, të ndikuara nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe i karburanteve. Drutë për zjarr, peleti dhe produktet e qumështit dhe vezët u shtrenjtuan më tepër. Megjithatë, të paktën nga ngritja e tarifave do të kursehen qytetarët që për ngrohje shfrytëzojnë ngrohtoren e qytetit, Termokos.

Tarifat për ngrohje me Termokos edhe këtë vit do të jenë të njëjta. Kjo pasi, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)  nuk e ka miatuar kërkesën e Termokos për rritjen e çmimit, shkruan Gazeta Sinjali.

“ZRRE ka miratuar strukturën e re tarifore për konsumatorët e NP “Termokos” SH.A. për sezonin ngrohës 2022/2023. Sipas kësaj strukture, edhe këtë sezon ngrohës faturimi për konsumatorët banesor dhe afarist/institucional do të bëhet me tarifa të pandryshuara nga sezoni i kaluar”, thuhet në përgjigjen nga Termokos për Sinjalin.

Konsumatorët të cilët posedojnë njehsorë për matje të energjisë termike të shfrytëzuar do të paguajnë 0.78 euro për kilovat. Ndërsa, për konsumatorët që nuk posedojnë njehsor matja bëhet sipas madhësisë së sipërfaqes së objekteve. Në këtë rast, konsumatorët e kategorisë së amvisërisë do të paguajnë 0.76 euro për metër katror ndërsa konsumatorët komercial, 0.95 euro për metër katror.

Mësoni si të bëni llogaritjen e faturës tuaj mujore me Termokos.

Konsumatorët që nuk posedojnë njehsor duhet t’i referohen fletës poseduese të vendbanimit për të mësuar numrin e saktë të sipërfaqes së vendbanimit të llogaritur përmes metrave katror.

Nëse bëhet fjalë për vendbanim, numrin e saktë të metrave katror duhet ta shumëzoni me 0.76, ndërsa, nëse bëhet fjalë për hapësirë komerciale, atë duhet ta shumëzoni me 0.95.

Në këtë rast, nëse banesa juaj ka (shembull) sipërfaqe 100 metra katror dhe është e kyçur në rrjetin e Termokosit, fatura mujore për ngrohje do të jetë 76 euro. Ndërsa, për të njëjtën sipërfaqe për biznese fatura mujore është 95 euro.

Kam njehsor, si të bëj llogaritjen e faturës mujore?

Konsumatorët e Termokos që shfrytëzojnë njehsorin për matje të konsumit duhet t’i referohen vlerave në njehsor për të bërë llogaritjen e faturës mujore të ngrohjes.

Kur bëhet fjalë për konsumatorët që kanë njehsor për ngrohje, sipas vendimit të Bordit të Rregullatorit të Energjisë tarifa për ngrohje për kategori të amvisërisë (vendbanim) dhe atyre komerciale është e njejtë dhe në vlerë prej 0.78 euro për kilovat.

Bazuar në këto të hyra, konsumatorët të cilët posedojnë njehsorë për matje të konsumit të energjisë termike do të paguajnë 0.78 euro për kilovat.

Për të bërë llogaritjen, ju duhet të shikoni të dhënat në njehsorin tuaj, dhe numrin e kilovatëve të shfrytëzuar duhet t’a shumëzoni me 0.78.

Në këtë rast, nëse njehsori tregon se keni shfrytëzuar 100 kilovat energji termike, atëherë fatura juaj mujore e Termokosit duhet të jetë në vlerë prej 78 eurosh.

/GazetaSinjali/