Një 20-vjeçar nga Shkodra është shpallur në kërkim ditën e sotme në Kukës, pasi tentoi të kalonte ilegalisht në Kosovë 18 emigrantë sirianë.
Në momentin që u ndalua nga forcat policore, i riu u largua me shpejtësi duke e braktisur furgonin.
Policia bëri me dije se ai është shpallur në kërkim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Njoftimi i policisë:
Transportonte kundrejt pagesës, 18 emigrantë, shpallet në kërkim, në kuadër të operacionit “Kalimashi”, 20-vjeçari. Sekuestrohet automjeti me të cilin kryhej transportimi. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet policore të Njësisë për Sigurinë e autostradës “Milot-Morinë”, në aksin rrugor “Tuneli-Morinë”, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip fugon, të marrë me qira nga shtetasi F. L., me qëllim kryerjen e kontrollit.
Shtetasi F. L. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur të largohet. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 18 emigrantë nga Siria, të cilët shtetasi F. L. po i transportonte kundrejt pagesës, në drejtim të Morinës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në kuadër të operacionit “Kalimashi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës, shpallën në kërkim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin F. L., 20 vjeç, banues në Shkodër. Vijon puna intensive për kapjen e 20-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.