Dje është arrestuar një grua e moshës 29-vjeçare në Ferizaj. Ajo dyshohet se e ka ther me thikë bashkëshortin e saj 32-vjeçar, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo sipas Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, e dyshuara ka probleme mendore.
Shukri Jashari i tha Sinjalit se e dyshuara është në ndalim dhe ndaj saj është bërë kërkesa për paraburgim.
Jashari deklaroi se e dyshuara e ka ther me thikë të kuzhinës bashkëshortin e saj në qafë.
“E njëjta dyshohet se ka përdorur thikën e kuzhinës. Burri ka pësuar lëndime të lehta trupore në pjesën e qafës”, tha ai.
Kryeprokurori tha se ende nuk dihet motivet që kanë çuar në këtë incident.
Për rastin, dje njoftoi Policia e Kosovës. Ata thanë se viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
“Personi i lënduar me inicialet B.K, pasi kishte pranuar ndihmën e parë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, i njëjti është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësorë, ndërsa dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj. Pasi është intervistuar nga hetuesit rajonal, në prezencë të avokatit mbrojtës me detyrë zyrtare, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt është iniciuar rasti ‘’Vrasje e mbetur në tentative’’, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje 48 orë, për procedura te mëtejme hetimore“, thuhet në njoftim. /Gazeta Sinjali/