Egzon Reshani, 29-vjeçari nga Prizreni i cili u dorëzua javën e kaluar në Polici pasi dyshohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në një lokal në Lubizhdë ka të kaluar kriminale të pasur. Edhe pse s’ka mbushur ende të 30-tat, Reshani brenda 12 viteve është dënuar plot 16 herë për vepra të ndryshme penale. Gazeta Sinjali ka siguruar dosjen me të gjitha rastet për të cilat është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
I riu nga Prizreni ka hyrë në telashe me shtetin ende pa i bërë 18-vjet, kur në moshën 17-vjeçare, u dënua për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që për veprën e njëjtë dhe vepra të tjera penale po mbahet në paraburgim edhe pas 12 vitesh. Dënimet e Gjykatës siç duket nuk e mbushën mend të riun, i cili në vazhdimësi ka përsëritur veprat për të cilat ishte dënuar më parë.
Profili i Reshanit dhe historia e tij kriminale në bazë të informacioneve të konfirmuara për Sinjalin nga Gjykata Themelore në Prizren
Rasti i fundit për të cilin po dyshohet
Më 11 maj të këtij viti, në një lokal në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, Egzon Reshani terrorizoi qytetarët që ndodheshin përreth, kur hyri me armë automatike dhe gjuajti disa herë për t’u larguar më pas me një veturë. Pas disa javësh në arrati, ai u dorëzua në Polici më 25 maj dhe ndaj tij u bë kërkesë për paraburgim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, më 27 maj mori vendim që Reshanit t’ia caktojë një muaj paraburgim si i dyshuar për kryerjen e veprave penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprën penale Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë.
Këto vepra penale, 29-vjeçari i ka përsëritur për disa herë me radhë. Ndaj tij, pranë Gjykatës Themelore në Prizren janë të evidentuara 16 aktgjykime të plotfuqishme për veprat penale si vrasje e rëndë në tentativë, lëndim i rëndë trupor, posedim i paautorizuar i narkotikëve, kanosje e të tjera.
Vitin e kaluar, më 9 prill, Egzon Reshani është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe me 700 euro për veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi dyshohet se “më 12 qershor 2018, rreth orës 20:45 minuta, në Prizren, në rrugën “Qazim Berisha”, ka përdorur armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin së bashku me vëllain e tij- të akuzuarin B.R., shkojnë dhe e presin të dëmtuarin pranë dhe posa i njëjti del nga hoteli, i akuzuari E.R., e nxjerrë armën e llojit të panjohur dhe me të njëjtën shtënë një herë në tokë.”
Në vitin 2020, më 8 tetor, Reshani po ashtu është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me 800 euro gjobë për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Ndaj tij, edhe më 23 mars 2019 është shpallur aktgjykim, ku është dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në vitin 2019, më 1 prill, ai po ashtu është dënuar me gjobë prej 2 mijë e 700 euro dhe 1 vit burgim me kusht për veprën penale lëndim i lehtë trupor.
Gjatë vitit 2019, ai është dënuar edhe për një rast tjetër, kur më 9 janar është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 mijë e 700 euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Po ashtu, edhe më 28 prill 2019, Reshani është dënuar me 200 euro gjobë për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Ndërkohë që në vitin 2018, më 20 shkurt, ai është dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale kanosja.
Dënimet para 8 vitesh
Egzon Reshani është dënuar edhe në vitin 2014, më 06 qershor, me 2 vite e 10 muaj burgim për veprën penale lëndim i rëndë trupor. Po atë vit, më 12 nëntor është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv dhe dënim me gjobë prej 1 mijë e 800 euro, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
Edhe para 10 vitesh, më 18 janar 2012, Reshani është dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar, vepër për të cilën është dënuar edhe më 18 korrik të po këtij viti, me 800 euro gjobë.
29-vjeçari është dënuar edhe më 4 mars të vitit 2011 me 2 muaj burgim me kusht për veprën penale lëndim i lehtë trupor.
Kurse që dënimi që është shpallur kur Reshani ka qenë i mitur është më 7 tetor 2010, ku ishte dënuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.