image Tentim vrasja në Prishtinë: Ky është i arrestuari që gjuajti 8 herë me armë zjarri në drejtim të 28-vjeçarit

Siguri

Tentim vrasja në Prishtinë: Ky është i arrestuari që gjuajti 8 herë me armë zjarri në drejtim të 28-vjeçarit

news image

Mbrëmjen e 18 dhjetorit në rrugën “Destan Bajraktari” pati të shtëna me armë zjarri, ku nga një veturë në lëvizje dikush gjuajti tetë hërë në drejtim të një 28-vjeçari. Ndonëse i dyshuari kishte cak të riun, atë s’arriti ta qëllojë dhe iku nga vendi i ngjarjes. Por pas një jave në arrati, i njëjti është dorëzuar në Polici dhe tashmë Sinjali ka mësuar identitetin e tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ilirian Sekiraqën, 25-vjeçar – ndaj të cilit është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Me rastin e paraqitjes në stacion policor, Sekiraqa ka dorëzuar disa mbetje të armës që e kishte përdorur në rast, e të cilën dyshohet se e kishte djegur më pas, duke tentuar ta fsheh si provë.

I njëjti është intervistuar para hetuesve policorë gjatë ditës së sotme dhe më pas ndaj tij Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim, për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Raportimi i Sinjalit për rastin

Gazeta Sinjali ka raportuar me detaje për këtë rast, që kishte ndodhur në mbrëmjen e 18 dhjetorit, kur viktima M.K., u gjuajt derisa ishte duke e parkuar veturën e tij.

Për motive akoma të panjohura, i dyshuari ka gjuajtur 8 herë nga vetura e tij BMW dhe më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Posa Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, kanë gjetur gëzhojat që janë sekuestruar si dëshmi për rastin, teksa janë bërë ekzaminimet e nevojshme edhe në veturën e viktimës, ku janë shkaktuar dëme.

I riu, i cili nuk kishte pësuar lëndime, ka dhënë deklaratë para zyrtarëve policorë për atë se çfarë ka ndodhur, ku kishte shtuar se nuk kishte dyshime te ndonjë person i caktuar.

Por pas nisjes së hetimeve, Policia arriti ta zbulojë të dyshuarin, teksa po ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme që lidhen me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/