image Tentim vrasja e të riut në Prishtinë: Zbulohet kush është i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë

Siguri

Tentim vrasja e të riut në Prishtinë: Zbulohet kush është i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë dhe sot për rastin e therjes me thikë që ndodhi pasditen e djeshme, në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku dy persona u sulmuan fizikisht, teksa njëri prej tyre edhe u godit disa herë me thikë. 18-vjeçari dhe miku i tij përfunduan në QKUK si pasojë e plagëve, ndërsa të dyshuarit u arratisën menjëherë. Pas nisjes së hetimeve, Policia ka identifikuar njërin prej tyre, i cili tashmë është arrestuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u kap nga Policia është 19-vjeçari Drin Bytyqi, i cili do të hetohet për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ai bashkë me disa të dyshuar të tjerë i kanë sulmuar viktimat në mes të rrugës dhe incidenti dyshohet se ndodhi për shkak të të hollave.

Bazuar në dëshminë e viktimave të dhënë para hetuesve policorë, të dyshuarit fillimisht i kishin ndalur, duke iu kërkuar para dhe pasi nuk morën asnjë cent, iu vërsulen të rinjve, duke i sulmuar. Të njëjtit më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njësitet policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërkohë që pas përfundimit të procedurave të nevojshme, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve.

Ndaj të dyshuarit që u arrestua, është lëshuar urdhri për masën e ndalimit policor, ndërsa veprimet tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/