Sot, në Bruksel do të vazhdojnë negociatat mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave të automjeteve, reciprociteti për të cilat nxiti tensione dhe sulme në veri të Kosovës, tash e dhjetë ditë, shkruan Gazeta Sinjali.
Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në këtë proces, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, gjatë ditës së djeshme tha se është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Mirëpo, sipas tij, ky draft-dokument nuk e ka marrë ende pëlqimin e palës serbe, e cila kryesohet nga drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili është dakorduar pothuajse në tërësi. Ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final. Nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës tha se kjo marrëveshje parasheh tri elemente:
1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.
2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.
3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.
Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian thanë se bisedimet mes dy palëve do të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhje për daljen nga kriza aktuale./GazetaSinjali/