image Kurti: Kosova nuk është problemi, por Serbia dhe presidenti i saj

Politikë

Kurti: Kosova nuk është problemi, por Serbia dhe presidenti i saj

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizioni kroat HRT, ka folur sërish për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë dhe për qasjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti ka thënë se Vuçiq ende mendon dhe flet si të jetë në vitet 1990-ta.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë. Kosova nuk është problemi këtu, është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi, që mendon e flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar. Pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se qytetarët serbë që janë vendosur në barrikada në Jarinjë e Bërnjak, pas vendimit të Qeverisë, paguhen nga Serbia.

Kryeministri Kurti tutje ka shtuar se Vuçiqi synon të nxisë një konflikt ndërkombëtar.

“Vjen ministri i Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe me atasheun e Mbrojtjes së Rusisë në Beograd. Në të njëjtën kohë i vihet zjarri një ndërtese në Zubin Potok. Aeroplanët MIg-29 sillen rreth Kosovës, po ashtu helikopterë e automjete të blinduara e prodhuara në Rusi i afrohen kufirit. Ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë tanë. Forca tona speciale janë atje, si në Bërnjak ashtu edhe Jarinje. Mos harroni se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/