image Tensionet në Veri, Rohde: Shfaqja e muskujve ushtarakë nuk ndihmon, Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje përmes rrugës politike

Politikë

Tensionet në Veri, Rohde: Shfaqja e muskujve ushtarakë nuk ndihmon, Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje përmes rrugës politike

news image

Në fillim të muajit nëntor, më shumë se 550 policë u larguan nga postet e tyre në komunat në veri të Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës. Të njëjtën gjë e kanë bërë rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe personel administrativ nga sistemi gjyqësor në komunat në veri, ku jeton popullata me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, shkruan Gazeta Sinjali.

Së bashku me përfaqësuesit politikë nga radhët e Listës Serbe, ata shtruan dy kërkesa për kthim në institucionet e Kosovës: pezullimin e vendimit për riregjistrimin e veturave në targa RKS (Republika e Kosovës) dhe formimin e Asociacioni e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 24 nëntor se kthimi i serbëve në institucione nuk mund të jetë politik dhe se është çështje ligjore dhe kushtetuese.

Ai ka theksuar se u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që të mos dalin nga institucionet e Kosovës, por se nuk u ka bërë thirrje që të kthehen tani.

“Nuk kam të drejtë t’iu them kthehuni. Shkuarja e tyre është akt individual, kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti.

Tërheqjen e serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës po e sheh të panevojshme, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori gjerman në një intervistë për Gazetën Sinjali u shpreh se largimi i policëve serbë nuk është në dobi të sigurisë së Veriut.

“Në fund të fundit, tërheqja e serbeve nga institucionet shtetërore nuk i ndihmon askujt. Në dialogun e normalizimit do të bëjmë përparim vetëm nëse të dyja palët bashkëpunojnë në mënyrë aktive.

Largimi nga Policia e Kosovës paraqet një kërcënim masiv për situatën e sigurisë në veri, e rrjedhimisht edhe për sigurinë e serbëve që jetojnë atje. Kjo nuk është në interesin e askujt”, u shpreh Rohde.

Ndërkohë, tensionet janë ngritur në Veri të vendit ku në 72 orët e fundit ka pasur shpërthime me shok-bomba. Madje, mbrëmjen 8 dhjetorit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është plagosur në një sulm të armatosur në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Polici, Ekrem Neziri i ishte nënshtruar një operimi në QKUK.

Në anën tjetër kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq i ka hedhur benzinë zjarrit të tensioneve midis Beogradit dhe Prishtinës, në një reagim pas ngjarjeve të trazuara të ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Për mediat serbe, Bërnabiq ka shprehur mundësinë që Serbia të dërgojë një numër të konsiderueshëm të forcës së sigurisë së saj në Kosovë.

Sipas Bërnabiç kjo lëvizje vjen pasi Serbia ndihet e kërcënuar dhe do t’i referohet rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë vendim.

“Albin Kurti na ktheu të gjithëve jo në shekullin e 19-të, por në shekullin e 18-të. Çdo gjë që ai bën është një rrezik jo vetëm për serbët, por për shqiptarët dhe për mbarë Evropën. Kurti na solli në prag të luftës. Jemi shumë afër që të kërkojmë kthimin e forcave serbe në Kosovë sipas rezolutës 1244”, tha kryeministrja e Serbisë.

Për këtë situatë, Rohde apelon që Serbia dhe Kosova të gjejnë zgjidhje përmes rrugëve politike dhe jo përmes asaj ushtarake.

“Qeverisë serbe i kërkohet gjithashtu të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive. Retorika e dhunës dhe shfaqja e muskujve ushtarakë janë kontraproduktive dhe shpërqendrojnë nga ajo që është e rëndësishme. Në vend të kësaj, të dyja palët duhet të fokusohen në gjetjen e zgjidhjeve përmes rrugës politike”, u shpreh Rohde për Sinjalin.

Ndryshe, në bazë të Udhëzimit Administrativ për punësimin në Policinë e Kosovës, zyrtarët policorë që japin dorëheqje vullnetarisht, nuk kanë të drejtë të kthehen apo të punësohen në Policinë e Kosovës.

Megjithatë, procedura është që një punonjës policie duhet të paralajmërojë dorëheqjen në Drejtorinë e Personelit 30 ditë përpara, ndaj procedura për shkarkimin e tyre është ende në vazhdim. Policët kanë dorëzuar dorëheqjet në ditët pas 5 nëntorit, kur në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq është marrë vendimi për largim nga institucionet e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më pas u dhuroi atyre Urdhrin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Shkallës së Parë dhe Medaljen e Artë për Guxim.

/GazetaSinjali/