image Tensionet në veri: Lajçak i kërkon Lulzim Hetemit të tërhiqet nga objekti i Komunës në Leposaviq

Politikë

Tensionet në veri: Lajçak i kërkon Lulzim Hetemit të tërhiqet nga objekti i Komunës në Leposaviq

news image

Kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi që nga fillimi i tensioneve në komunat veriore, po qëndron i mbyllur në objektin e kësaj komune. Atij i është kërkuar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që të ndjek shembullin e kryetarëve të tjerë dhe të punojë nga objekte alternativ.

Lajçak tha se kryetarët merren vetëm me disa çështje administrative por jo edhe politike, meqë sipas tij s’kanë marrë mandat nga serbët për një gjë të tillë.

“De-përshkallëzimi do të thotë që kryetarët e komunave të tërhiqen nga ndërtesat ku ndodhen aktualisht,  para së gjithash në Leposaviq. Dhe të punojnë nga disa ambiente të tjera, siç bëjnë tashmë dy kryetarët tjerë.  Do të thotë se merren me disa çështje administrative, por jo politike. Për këtë ata nuk kanë marrë mandat nga votuesit e komunitetit serb”, ka thënë Lajçak në një intervistë për Euronews.

Ai gjithashtu ka thënë se BE pret që të largohen edhe protestuesit, dhe të tërhiqen policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Pasi të ndodh kjo, Lajcak thotë se hapi tjetër është të diskutohet për datën e zgjedhjeve të reja dhe si të arrihet deri tek ato.

“Në të njëjtën kohë presim që demonstruesit, policia speciale dhe KFOR-i të tërhiqen. Që të kemi paqe, që njerëzit t’i kthehen jetës së tyre dhe t’i kthehemi punës sonë. Kjo është de-përshkallëzimi. Pastaj hapi tjetër është të diskutojmë se kur do të kemi zgjedhje të reja dhe si do t’i arrijmë ato”, ka thënë Lajçak.

/GazetaSinjali/