image "Tendenca e Listës Serbe për të marrë deputetët e minoriteteve tjera është e rrezikshme"

“Tendenca e Listës Serbe për të marrë deputetët e minoriteteve tjera është e rrezikshme”

news image

Njohësit e çështjeve juridike thonë se është e rrezikshme për demokracinë nëse ndodh që Lista Serbe do të kishte ndikim te deputetët e pakicave joserbe.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ky veprim do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse vullneti i komuniteteve jo-shumicë në Kosovë devijohet përmes këtyre lojërave politike, atëherë kjo e cenon atë të drejtë që është e mbrojtur dhe garantuar me Kushtetutë…Komunitetet që mendojnë se u janë shkelur këto të drejta duhet të ankohen së pari në PZAP e më pas në instancat tjera kushtetuese deri në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ai për RTV Dukagjinin.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus thotë se nëse vërtetohen këto pretendime, do të dëmtohej demokracia e vendit tonë.

“Nëse një gjë e tillë konfirmohet se ka pasur marrëveshje të tilla politike atëherë kjo do të ishte e dëmshme për demokracinë. Mirëpo kjo është edhe një anomali e sistemit tonë zgjedhor”, tha ai.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se tendencat e tilla nga Lista Serbe janë shumë shqetësuese.

“Kjo në vetvete do të ishte një problem shumë i madh i cili do të duhej të kishte një vëmendje të madhe si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga mediat apo organizatat e shoqërisë civile. Nëse pretendimet e deritanishme dalin faktike, ato janë haptazi kundër frymës kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar vendi ynë”, deklaroi zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.

Sidoqoftë, ai thotë se formimi i qeverisë nuk do ta varet nga votat e Listës Serbe pavarësisht nga zhvillimet që po ndodhin me vendet e garantuara./Gazeta Sinjali/