Gazeta Sinjali gjatë ditës së sotme raportoi se katër punëtore të kompanisë Ventius në Gjakovë ishin alivanosur dje në vendin e tyre të punës, si pasojë e temperaturave të larta.
Mirëpo, kjo nuk ishte hera e parë që një gjë e tillë kishte ndodhur në këtë fabrikë, kjo sepse ditë më parë në Spitalin e Gjakovës kishin kërkuar ndihmë edhe 13 punëtore të tjera të kësaj fabrike, pasi që ato ishin alivanosur për arsyen e njëjtë, temperaturat e larta.
Gazeta Sinjali ka siguruar emailin që kjo fabrikë ku ua ka dërguar stafit të tyre gjatë ditës së djeshme. Në këtë email dëshmohet se kjo fabrikë ka punuar duke mos ofruar kushtet e përshtatshme të punës, pasi që aty mungojnë aparatet klimatizuese.
Kjo fabrikë, e cila merret me prodhimin e dyshekëve, inspektorati komunal dhe prokuroria ia kanë ndërprerë punën gjatë ditës së djeshme.
E menjëherë pas kësaj ngjarje. menaxhmenti nëpërmjet emailit ka informuar punëtorët për ndërrimin e orarit të punës, me qëllim që t’i evitojnë rastet e alivanosjes në fabrikë.
“Në takimin e mbajtur sot pikërisht për këtoi raste të cekura më lartë, Erolli së bashku me personat përgjegjës të Sigurisë dhe Shëndetit në punë, i ka shqyrtuar mundësitë që të eliminohen këto raste dhe kanë vendosur si në vijim….”, shkruhet në emailin e menaxhmentit të kompanisë Ventius, teksa u shpjegohet punëtorëve orari i ri i punës.
Sipas këtij emaili, në këtë kompani në pjesën që quhet ‘Janex’ nuk do të punohet nga dita e hënë, kjo sepse në atë pjesë mungojnë aparatet klimatizuese dhe inspektorati i punës ka rekomanduar që ato të vendosen.
Tutje, në këtë email kompania ka njoftuar se që nga dita e hënë, ndërrimi i parë do të fillojë punën në orën 06:00 dhe do të përfundojë në orën 14:00.
Kompania e cila funksionon pa aparatet klimatizuese ka ndërruar orarin e punës edhe për ndërrimin e pasdites. Sipas tyre kjo është bërë me qëllim që të krijohet një klimë më e përshtatshme brenda fabrikës.