Gjatë ditës së djeshme Telekomit iu bllokuan llogaritë bankare nga një përmbarues privat për rastin me “Z-mobile”.
Ky bllokim ka bërë që sot Bordi i Telekomit të takohet me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçin.
Në një komunikatë për media, thuhet që anëtarët e Bordit kanë kërkuar mbështetjen emergjente të Qeverisë për daljen nga situata dhe për të evituar bllokimin total të Telekomit.
“Në takim, ne e shprehëm shqetësimin tonë lidhur me këtë emergjencë në të cilën ndodhet Telekomi dhe kërkuam mbështetjen e Ministrisë për daljen nga kjo situatë, me të vetmin qëllim për të evituar bllokimin e Telekomit me pasoja të pa riparueshme si për ekonominë e Republikës së Kosovës ashtu edhe interesat kombëtare”, thuhet në komunikatë.
Bordi i Përkohshëm i Telekomit në komunikatë ka sqaruar se ky bllokim ka ardhur si pasojë e problemeve të para shumë viteve më parë.
“Ne si Bordi i Përkohshëm, që nga emërimi në këtë detyrë kemi ndërmarrë hapa dhe vendime konkrete të cilat kanë ndikuar sadopak në përmirësimin e gjendjes së rendë të përgjithshme në të cilën ndodhet Telekomi. Sa i përket procesit në lidhje me bllokimin e llogarive bankare, ju sigurojmë se nga ana e Telekomit është ndërmarrë çdo hap i mundshëm, megjithatë bllokimi i llogarive është rrjedhoje e problemit të krijuar para shumë viteve dhe i pa evituar”, thuhet tutje.
Bordi për këtë rast ka kërkuar përfshirjen e aksionarit, dhe për këtë kanë marrë përkrahjen e ministrit Kuçi.
“Ne anëtarët e Bordit i kemi shteruar të gjitha veprimet konkrete në këtë drejtim në baza të përgjegjësive dhe detyrave fiduciare që na janë ngarkuar. Për këtë arsye, si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë e shohim përfshirjen e Aksionarit. Në takimin e sotëm ne hasëm në përkrahjen e Ministrit Kuçi dhe u siguruam që Ministria e z Kuçi do të ndërmerr të gjitha hapat dhe veprimet konkrete për të dalë nga kjo situatë e cila është alarmante, duke kontribuar që të shpëtohet Telekomi i Kosovës Sh.a”, thuhet tutje në njoftim.
Ky bllokim i llogarive bankare ka ndodhur si rrjedhojë e arbitrazhit të humbur në vitin 2016 ndaj “Dardafon.net” L.L.C. e njohur për opinionin publik edhe si Z-Mobile./ Gazeta Sinjali/