image Telekomi shuan 25 pozitat e zv. drejtorëve, derisa numri i drejtorëve do të reduktohet nga 14 në 4

Sociale

Telekomi shuan 25 pozitat e zv. drejtorëve, derisa numri i drejtorëve do të reduktohet nga 14 në 4

news image

Edhe përkundër faktit se dikur Telekomi i Kosovës ishte ndër kompanitë publike më të qëndrueshmet në vendin tonë, tash vazhdon të përballet me një krizë jo të vogël për shkak ndërhyrjeve të motivuara me interesa të ngushta grupore e politike dhe mbi punësimeve.

Këtë gjendje e kanë sjellë menaxhimi i keq, bordet politike, kontratat e ndërtuar mbi afera korruptive e çështje tjera. Derisa po vazhdon ristrukturimi me qëllim siç thuhet të kthimit të normalitetit, ku numri i drejtorëve do të reduktohet nga 14 në 4, ndërsa numri i zëvendës drejtorëve do të reduktohet nga  25 në 0.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, tha për Gazetën Sinjali se procesi i ristrukturimit tashmë ka përfunduar dhe pas zgjedhjes se kryeshefit ka filluar implementimi i ristrukturimit.

Më tej ai tregoi se si fazë e parë është zgjedhja e 4 drejtorëve nga 16 sa kanë qenë më herët tash janë vetëm 4 drejtori, ajo e Financave, Korporatës, Teknike dhe e Shitjes dhe Marketingut.

Në kuadër të këtyre drejtorive do të jenë të përfshira departamentet ku një pjesë e tyre më herët kanë qenë drejtori.

“Ne si sindikatë besojmë fuqishëm se komplet implementimi i ristrukturimit do të përfundoi deri në muajin maj-qershor”, tha Balaj.

Kryetari i SPTK-së theksoi se nuk ka frikë se punëtorët mbesin pa punë.

“Nuk ka frikë se punëtorët mbesin pa punë, ata që e kanë ndier vetën që s’munden me kontribu e kanë marr pakon e mëhershme dhe e kanë lënë punën, ndërsa këta që kanë mbetur nuk kanë pse  të frikësohen, sepse nuk ka shkurtim të vendeve të punës dhe ne si sindikatë për ata jemi aty, që ti mbrojmë të drejtat e puntorëve të parapara me ligj dhe Kushtetutë”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit.

Më tej Balaj, theksoi se humbja e punës mund të bëhet individualisht në rast të mos respektimit të kontratës së punës nga i punësuari dhe shkeljet e rënda ku ka pasur raste të tilla në vazhdimësi.

Ndërsa Fadil Lepaja, ushtrues detyre i drejtorit për relacione me publikun në Telekomin e Kosovës, tha për Gazetën Sinjali se ristrukturimi organizativ i TK-së është në fazën e vet përfundimtare – plotësimin e vendeve të punës sipas skemës se re organizative duke filluar nga nivelet më të larta të menaxhimit të ndërmarrjes. Pas kësaj do të fillojë procesi i plotësimit të pozitave nëpër njësi duke u bazuar në procese të brendshme konkurruese, me ç’rast të gjithë të punësuarit aktualë do të kenë mundësinë të konkurrojnë për këto pozita.

Më tej ai tregon se kësaj faze të procesit i ka paraprirë aprovimi i Rregullores për Sistematizimin e vendeve të punës në Telekom, e cila përcakton organizimin e brendshëm të saj, funksionimin dhe menaxhimin e njësive organizative, sistemimin e vendeve të punës në funksione përkatëse, emërtimet e funksioneve dhe përshkrimin e detyrave të punës, si dhe kualifikimet e nevojshme për secilin vend pune.

Procesi i ristrukturimit deri në këtë fazë është realizuar me kosto minimale, nga resurset e brendshme të ndërmarrjes, të organizuar në komisione dhe me pjesëmarrje dhe bashkëpunim aktiv të sindikatave përfaqësuese të të punësuarve.

“Ky proces është kusht për kthimin e normalitetit në funksionimin e ndërmarrjes dhe përcillet me ristrukturim teknologjik, financiar dhe të shërbimeve. Të gjitha këto aspekte të ristrukturimit do të ndikojnë në performancën e ndërmarrjes dhe janë kusht i domosdoshëm për tejkalimin e krizës aktuale të saj dhe kthimin e saj në normalitet”, tha Lepaja.

Më tej zëdhënësi i TK-së  theksoi se nga viti 2009, si pasojë e mos përcjelljes së trendeve të zhvillimit të industrisë së telekomunikacionit, si dhe ndërhyrjeve të motivuara me interesa të ngushta grupore e politike, struktura organizative e kompanisë jo vetëm që ishte bërë jofunksionale, por në masë të madhe e kishte degraduar vendimmarrjen dhe proceset e punës.

“Me krijimin e pozitave të panevojshme të punës, përpos rritjes enorme dhe të panevojshme të shpenzimeve operative, u përkeqësuan edhe raportet ndër njerëzore dhe kolegiale, duke u rrënuar kështu fryma e bashkëpunimit dhe duke u demotivuar skajshëm pjesa kreative e stafit. Është konstatuar se ka pasur një numër të pozitave të cilat nuk kanë qenë pjesë e strukturës së aprovuar organizative dhe poashtu ka pasur gradime për pozita të vendeve të punës, të cilat kanë devijuar nga gradimet e pozitave tjera identike në hierarki apo në kuadër të departamentit. Këto, me kohë janë evidentuar edhe si gjetje në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, tha Lepaja.

Ai thekson se të ndodhur në këtë situatë, një hap para humnerës, u bë e domosdoshme që kompania të aprovojë një organogram të ri të saj, i cili do të pasqyronte një entitet të qëndrueshëm dhe funksional, një hapësirë për ekip të motivuar, të organizuar dhe të menaxhuar mirë, për ta kthyer atë sërish në nivelin e shërbimeve, respektin apo vlerën si dhe pozitën prirëse që e meriton në treg dhe në shoqëri.

Sipas tij, ishte e domosdoshme gjithashtu që pozitat udhëheqëse t’i nënshtroheshin një procesi të vlerësimit dhe përzgjedhjes në bazë të meritokracisë, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj punës dhe kompanisë. Këtë proces relativisht të gjatë po e përmbyllim me sukses, me kosto shumë të ultë dhe me rezultate për të cilat vlerësojmë se do ta ndihmojnë kompaninë, që me hapa të sigurt të ndërtojë misionin dhe vizionin e sa.

Më tej Lepaja shtoi se theksoi se sipas skemës së deritashme organizative, në nivelin më të lartë menaxherial të ndërmarrjes kanë qenë 14 drejtori/departamente, të cilat i kanë raportuar drejtpërdrejt Kryeshefit Ekzekutiv. Të gjitha këto njësi kanë qenë të udhëhequra nga drejtorët përkatës dhe, në shumicën e tyre, nga dy dhe më shumë zëvendës drejtorë. Përveç tyre, në Zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv kanë qenë shumë pozita të larta të këshilltarëve, menaxherëve dhe zyrtarëve të lartë. Sipas strukturës se re organizative, numri i drejtorive/departamenteve të vendosura në rrafshin e parë menaxherial, do të reduktohet në 4 drejtori dhe në Zyrën e KE (dukshëm të optimizuar sa i përket përbërjes, por pa cenim të funksionalitetit). Si rezultat, edhe numri i pozitave të larta menaxheriale do të reduktohet dukshëm. Kështu, sipas propozimit të ri, numri i drejtorëve do të reduktohet nga 14 në 4, ndërsa numri i zëvendës drejtorëve do të reduktohet nga  25 në 0.

Sipas skemës së re organizative, ndërmarrja do të ketë Drejtorinë e Teknikës dhe Teknologjisë Informative, Drejtorinë e Marketingut, Shitjes dhe Kujdesit për konsumatorët, Drejtorinë e Financave dhe Drejtorinë e Çështjeve të Korporatës. Krahas këtyre drejtorive, në Zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv do të përqendrohen njësitë e natyrës strategjike dhe funksionet e parapara me ligj.

Lepaja tregon se aktualisht, numri i të punësuarve në ndërmarrje është 1802. Me procesin normal të pensionimit ky numër zvogëlohet vazhdimisht.

“Qëllimi i procesit të ristrukturimit nuk është largimi i punëtoreve nga puna por krijimi i një strukture organizative funksionale, të aftë për t’u përballur me kërkesat e tregut dhe ndryshimet teknologjike. Megjithatë, të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të ndërmarrjes të shkaktuar nga mbipunësimi pa kritere në të kaluarën, gjatë vitit të kaluar është zbatuar mundësia e largimit vullnetar dhe pensionimi i parakoshshëm i të punësuarve”, tha Lepaja.

Më tej zëdhënësi i TK-së shtoi se krahas kësaj, janë duke u shqyrtuar mundësitë dhe opsionet e risistemimit të punëtorëve në vendet e punës nëpër njësitë që kanë mungesa, qoftë për shkak të vlerësimit jo të duhur të disa vendeve të punës, qoftë për shkak të largimit dhe pensionimit të stafit. Njëkohësisht, ky proces paraqet edhe mundësi që çdo i punësuar që ka kualifikim, ide dhe ambicie të konkurrojë për pozitat e lira përmes një procesi konkurrues dhe transparent.

/GazetaSinjali/