image Telekomi deklarohet për dhomën e përgjimeve në të cilën Thaçi tha se hynë Kurti, Sveçla e Abazi

Biznes

Telekomi deklarohet për dhomën e përgjimeve në të cilën Thaçi tha se hynë Kurti, Sveçla e Abazi

news image

Telekomi i Kosovës i ka siguruar komsumatorët se nuk ka kryer përgjime dhe nuk ka pasur as qasje të paautorizuar në rrjetin e tij.

Sipas Telekomit, deklaratat joprofesioniste dhe të pambështetura në fakte e të pasakta mund ta dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës.

“Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës”, thuhet në reagimin e Telekomit të Kosovës.

Reagimi i Telekomit erdhi pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka informacione që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për tre ditë me radhë kanë hyrë fshehurazi në dhomën e përgjimeve në PTK.

Kujtojmë që bazuar në këto deklarata Prokuroria Speciale ka filluar grumbullimin e informacioneve./Gazeta Sinjali/

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë:

I sigurojmë konsumatorët tanë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin tonë

Pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës sh.a., e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin me sa vijon:

–          Telekomi i Kosovës sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.

–     Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.

–     Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.

–     Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.

–     Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.

–     Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.

–          Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.

–     Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës sh.a.