Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës” ka shpallur edhe një tender të ri për furnizimin me pije.
Përmes njoftimit për dhënie të kontratës, Telekomi ka bërë me dije se për këtë çështje planifon të shpenzojë mbi 6 mijë euro.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhet se furnizimi do të bëhet për 12 muaj.
“Furnizim me pije dhe artikuj tjerë për byfet e Telekomit të Kosoves Sh.A për një periudhë 12muaj”, thuhet në njoftim.
Për këtë tender kanë dorëzuar ofertat e tyre tetë kompani, por që në fund fituese është shpallur “TRADITA TREGTARE “.
Kontrata është dhënë më 24 shkurt, derisa nënshkrimi pritet të bëhet nesër.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, ditë më parë, Qeveria Kurti ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Telekomit për shkak që ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari theksoi se Telekomi është në prag të falimentimit nga shpenzimet e tepërta dhe punësimet pa kriter./ Gazeta Sinjali/