image Telekomi i Kosovës i paguan afër 11 mijë euro për një muaj qira lokalit të vëllait të komandant “Remit”

Kosovë

Dokument/ Telekomi i Kosovës i paguan afër 11 mijë euro për një muaj qira lokalit të vëllait të komandant “Remit”

news image

Telekomi i Kosovës përkundër se gjendet në gjendje jo të mirë financiare, duke ua zvogëluar së fundmi edhe pagat punëtorëve të kësaj ndërmarrje, vazhdon të paguajë shuma të majme parash për objektet që është duke i shfrytëzuar me qira, raporton Gazeta Sinjali.

Shuma të majme parash po jepen edhe për një objekt që gjendet afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, që shërben si qendër trajnimi për zyrtarët e kësaj ndërmarrje.

Vetëm për këtë objekt Telekomi i Kosovës, paguan afër 11 mijë euro qira në muaj. Ky objekt është në pronësi të Bedri Mustafës, i cili është vëllai i Rrustem Mustafës, të njohur si komandant “Remit”.

Gazeta Sinjali ka siguruar edhe faturën e kësaj ndërmarrje për objektin që është në pronësi të vëllait të komandant Remit. Vetëm për muajin janar, Telekomi i Kosovës, i ka paguar shumën prej 10 mijë e 840 eurove.

Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet e sigurta, se nga bordi i Telekomit të Kosovës, kishte pas kërkesë që të ndërpritet kjo marrëveshje për shfrytëzimin e lokalit me qira që është në pronësi të vëllait të komandant “Remit”. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është marr parasysh.

Përkundër kërkesës për ndërprerje të marrëveshjes, Telekomi i Kosovës, vazhdon të paguajë shumën prej afro 11 mijë eurove për qiranë e këtij objekti.

Gjendja e Telekomit të Kosovës nuk duket aspak e mirë as në kohën e fundit. Javë më parë Gazeta Sinjali, kishte raportuar për vendimin e bordit të Telekomit të Kosovës që t’u zvogëlohen pagat punëtorëve të kësaj ndërmarrje deri në 20%.

Gazeta Sinjali në vazhdimësi kishte raportuar për shpenzimet e kësaj ndërmarrje si për darka zyrtare, ashtu edhe për ndeja të organizuara.

Kunata e Ramush Haradinajt, Vesmira Haxhaj – Haradinaj, kishte shpenzuar afër 300 euro vetëm për një drekë punë, ku aty ishte porositur edhe oktapod në skarë.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, kishte shpenzuar së bashku me Faton Isufin, 800 euro vetëm për dy netë gjumë në një hotel me pesë yje në Turqi.

Po ashtu, Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe për shpenzimet festive të Telekomit të Kosovës. Mbi 7 mijë euro ishin shpenzuar për festën e fundvitit, ndërsa aty kishte mbetur i plagosur edhe zv/drejtori i Logjistikës, Shaban Ramaj. Në anën tjetër për përvjetorin e pavarësisë së Kosovë, vitin e kaluar, Telekomi i Kosovës, kishte festuar duke shpenzuar 21 mijë euro./Gazeta Sinjali/