Ministria në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi përmes një telegrami ka ngushëlluar familjarët, miqtë dhe artdashësit e këngëtares së njohur nga Peja Shahindere Bërlajolli – Stafaj, e cila vdiq mëngjesin e sotëm, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sot, mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të këngëtares së mirënjohur, Shahindere Bërlajolli Stafaj. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira. Shahindere Bërlajolli – Stafaj, me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji. Repertori i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe”, thuhet në telegramin e ministres.
Më tej, Dumoshi thotë se me dashuri do të kujtohen përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare.
“Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve”, përfundon telegrami./GazetaSinjali/