image "Të vras"/ I caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit që kërcënoi me vrasje gruan e tij në prani të fëmijëve

Drejtësi

“Të vras”/ I caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit që kërcënoi me vrasje gruan e tij në prani të fëmijëve

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj B.A., për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosje”, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo masë do t’i llogaritet nga 14 shtatori deri më 14 tetor të këtij viti.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj tij ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

“Deri më datë 13 shtator, i pandehuri B.A., ka mbajtur në pronësi dhe në posedim armën – pushkë automatike AK-47, së bashku me 82 fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët.”

“Gjithashtu i pandehuri B.A., me datë 12 shtator në orët e mbrëmjes, në shtëpinë e tij, seriozisht e kanos viktimën e ndjeshme – bashkëshorten e tij, në prezencën e fëmijëve, në atë mënyrë që armën – pushkë automatike AK-47, ia drejton të dëmtuarës duke i thënë ‘të vras’, me ç ‘rast tek e dëmtuara shkakton frikë dhe ankth”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata njofton se ka marrë parasysh peshën e veprës penale, si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri në kundërshtim me ligjin posedon armë, dhe kanos të dëmtuarën – bashkëshorten e tij në prani edhe të fëmijëve të tyre, atëherë me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti mund të përfundojë veprën penale për të cilën është kanosur, ose mund të përsërisë të njëjtën vepër penale.

Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për shkak të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji./Gazeta Sinjali/