Peja sot u “zgjua” me të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan në rrugën “Bill Clinton” te mishtorja Buquku. Për motive ende të panjohura një person po dyshohet se ka gjuajtur disa herë dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes. Sinjali ka mësuar për detajet e rastit që u zbuluan nga kamerat e sigurisë.
Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast, në drejtim të dy veprave penale, teksa i dyshuari ende nuk është identifikuar.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e kishte planifikuar rastin, por s’dihet nëse kishte cak që t’i gjuante vetëm xhamat e lokalit. Arma që dyshohet se u përdor ishte një AK-47, të cilën Policia ka arritur ta gjejë, por jo edhe ndonjë gjurmë të të dyshuarit.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari posa ka shtënë me armë, duke qëlluar xhamat, e më pas një pjesë brenda lokalit, si dhe një veturë, ka arritur të largohet me automjetin e tij. Të njëjtat burime bëjnë me dije se i dyshuari fillimisht kishte bërë disa lëvizje përreth lokacionit e më pas ishte zhdukur.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë një deklaratë nga pronari, teksa janë sekuestruar gëzhojat që janë gjetur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ka dalë në vendngjarje janë iniciuar rastet “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa veprimet tjera do të merren posa të kapet i dyshuari.