Një incident ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme afër lokalit të natës “Duplex” në Prishtinë. Një person ka mbetur i lënduar nga therja me thikë, ndërsa në këtë zënkë ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.
Flora Ahmeti, nga Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar lajmin për Gazetën Sinjali.
Ajo ka thënë se pas një zënke një person ka mbetur i lënduar nga therja me thikë, ndërsa ka potencuar se dyshohet të ketë pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Më tutje Ahmeti ka thënë se Policia e Kosovës ka identifikuar tre persona të dyshuar për këtë rast dhe është në kërkim të tyre.
“Sot rreth orës 02:00, në stacionin policor Qendra në Prishtinë është iniciuar një rast vrasje në tentative. Rasti ka ndodhur në rrugën “Rinia”, ku pas një zënke (ku dyshohet se ka pasur edhe të shtëna me armë)në mes të disa personave lëndime nga arma e ftohte (thike) ka pësuar viktima R. A.”
“Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia ka identifikuar tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, ka deklaruar Ahmeti./Gazeta Sinjali/.